Ministria e Brendshme italiane ka publikuar tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të hapen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare në fillim të nëntorit. Mediat italiane shkruajnë se është hapur procedura e negocimit, pra të gjitha kompanitë interesuara kanë kohë që të aplikojnë për këtë tender deri më 28 mars.
Nuk ka shumë afat për aplikim, pasi duhet të niset me punën, duke qenë se qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës duhet të jenë gati më 20 maj, kohë kur pritet që të mbërrijnë edhe emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane.
Jo më shumë se 3 mijë emigrantë
Numri i emigrantëve që mund të strehohen në të njëjtën kohë në territorin shqiptar është i kufizuar dhe nuk mund të kalojë 3 mijë veta dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna. Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, dy të tjerat do të jenë në Gjadër. Një qendër do të jetë që emigrantët t’i nënshtrohen kontrollit, ndërsa dy të tjerat për strehim.