Nëse udhëton një ditë të zakonshme në autostradën Tiranë-Durrës, apo përpiqesh të hysh në kryeqytet të krijohet ideja se në vend ka një numër shumë të lartë automjetesh. Në fakt, të dhënat e Eurostat tregojnë se në raport me popullsinë, Shqipëria është ndër vendet me më pak automjete në Europë.
Sipas Eurstat, në vitin 2022, në Shqipëri kishte 226 automjete për 1 mijë banorë, që na vendosin në vendin e tretë më normën më të ulët për këtë tregues, duke lënë pas vetëm Kosovën (182 automjete për vitin 2021) dhe Turqinë (169).
Në rajon, numrin më të lartë të automjeteve e kanë banorët e Malit të Zi (369), të ndjekur nga ata të Serbisë (344).
Shqiptarët kanë më pak se gjysmën e automjeteve në krahasim me mesataren e bashkimit Europian prej 560 automjete për 1000 banorë.
Europë
Në vitin 2022, numri mesatar i makinave të pasagjerëve për 1000 banorë në BE ishte 560. Gjatë dekadës 2012-2022, numri mesatar u rrit me 14,3% (nga 490 në 560 makina pasagjerësh për 1000 banorë).
Italia kishte numrin më të lartë me 684 autoveturave për 1000 banorë, e ndjekur nga Luksemburgu (678), Finlanda (661) dhe Qiproja (658). Ndërkohë normën më të ulët e ka Letonia me 414 vetura pasagjerësh për 1000 banorë, e ndjekur nga Rumania (417) dhe Hungaria (424).
Të dhënat tregojnë se vendet qendrore dhe lindore të BE-së shënuan ritme të larta rritjeje midis viteve 2012 dhe 2022.
Ndër vendet e BE-së, Rumania regjistroi normën më të lartë mesatare vjetore të rritjes së makinave të pasagjerëve për 1000 banorë (+86.2%; +193), e ndjekur nga Kroacia (+44.8%) ; +152), Hungaria (+40,9%; +123), Sllovakia (+40,1%; +135) dhe Estonia (+39,7%; +181).