Kryeministri Edi Rama thotë se nga vizita e tij në Holandë dhe nga takimi me homologun Mark Rutte ka pasur një lajm, sipas tij i jashtëzakonshëm.
Kreu i qeverisë shqiptarë thotë se vendi ynë, së bashku me Holandën “do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian”.
Sipas kryeministrit dy vendet do të japin një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian.
“Vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë. Shqipëria bashkë me Hollandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian. Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-hollandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Europian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkarisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian. Ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët. Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, thotë Rama.