Përfaqësues nga Rusia dhe Ukraina u takuan në Emiratet e Bashkuara Arabe javën e kaluar për të diskutuar mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve të luftës që do të lidhej me një rifillim të eksporteve ruse të amoniakut, të cilat shkojnë në Azi dhe Afrikë, nëpërmjet një tubacioni ukrainas.
Lajmi i bujshëm u bë i ditur nga agjencia “Reuters”, duke cituar tre burime me njohuri për takimin.
Burimet thanë se bisedimet po ndërmjetësoheshin nga shteti arab i Gjirit dhe nuk përfshinin Kombet e Bashkuara, pavarësisht rolit qendror të OKB-së në negocimin e iniciativës së vazhdueshme për eksportimin e produkteve bujqësore nga tre porte ukrainase të Detit të Zi.
Amoniaku përdoret për prodhimin e plehut.
Megjithatë, bisedimet synojnë të heqin pengesat e mbetura në nismën e zgjatur javën e kaluar dhe të lehtësojnë mungesat globale të ushqimit duke zhbllokuar eksportet ukrainase dhe ruse, shtuan ata.
Burimet kërkuan të mos përmenden emra në mënyrë që të diskutohen lirshëm për çështje të ndjeshme.
Përfaqësuesit rusë dhe ukrainas udhëtuan në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe Abu Dhabi më 17 nëntor, ku diskutuan lejimin e Rusisë të rifillojë eksportet e amoniakut në këmbim të një shkëmbimi të të burgosurve që do të lironte një numër të madh të burgosurish ukrainas dhe rusë, thanë burimet.
Reuters nuk mundi të përcaktojë menjëherë se çfarë përparimi ishte bërë në bisedime.