Në Çmimin e Madh të Austrisë i pranishëm ishte edhe mbrojtësi i Napolit Amir Rrahmani. Kapiteni i Kosovës qëndroi në zonën e dedikuar për skuderinë e Ferrarit në pistën e Shpilbergut.
Me fansat e tij, ai ndau momentet e veçanta nga gara e së dielës, ku triumfoi sërish piloti i Red Bull, Max Verstappen.
Rrahmani postoi edhe një foto me “Kokëkuqen” e drejtuar nga Carlos Sainz. Disa momente ndryshe për lojtarin e të kaltërve që zgjodhi që një pjesë të pushimit të tij pas fitores së titullit kampion ta kalonte në zhurmën e motorëve të makinave të Formula 1.
Në fund ai postoi edhe momente nga festimet në podium të pilotëve fitues. Për Max Verstappen ky ishte suksesi i radhës, ndërkohë që në vend të dytë doli piloti i Ferrarit Charles Leclerc. Në podium u ngjit edhe piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez.