Ndër trajtimet më të mira dhe të shëndetshme, si për lëkurën, fytyrën apo edhe flokët, rekomandohen që të kenë bazë bimore. Mbretëresha e bimëve e cili rekomandohen për flokë të shëndetshëm dhe të forta, është rozmarina.
Me siguri, secili nga ne, të paktën njëherë në jetë e kemi provuar rozmarinën në ushqimet që janë gatuar në shtëpi, ose nëse jo, diku ua ka hasur hunda aromën e saj të fortë dhe të mirë njëkohësisht. Por cilat janë efektet e të përdorurit rozmarinë për flokët?
Pikë së pari rozmarina do t’u dhurojë flokëve tuaj një aromë të mrekullueshme. Ju ndihmon të pastroni flokët tuaj nga zbokthi dhe ndihmon në forcimin e rrënjës, ripërtëritjen e tyre dhe ju jep shkëlqim.
Ka dy mënyra sesi mund ta përgatisni rozmarinën për ta përdorur për flokët tuaj.
Mënyra e parë është të mbushni një tenxhere me ujë, ta vendoseni në zjarr të ziejë dhe shtoni brenda disa degë rozmarine. Kur uji të jetë zier plotësisht dhe rozmarinë të ketë lëshuar të gjithë ekstraktin e saj, fikni zjarrin dhe lëreni të ftohet pak. Më pas kulloni ujin me kujdes dhe mund ta shpëlani kokën me të menjëherë pas dushit. Gjithashtu mund ta ruani në shishe të vogla dhe të lyeni flokët çdo herë pasi bëni dush.
Mënyra e dytë është që të merrni një ose dy degë rozmarine dhe vendoseni në një enë apo shishe qelqi hermetike. Mbusheni atë me vaj ulliri, derisa rozmarina të mbulohet plotësisht dhe mbylleni mirë me kapak. Këtë enë lëreni në një vend të errët e të thatë për 1 muaj e më pas do të jetë gati. Aplikojeni vajin në flokë të thatë para se të bëni dush. Bëjeni këtë që nga rrënja e flokëve deri tek majat dhe mbajini për 1 orë në mënyrë që rozmarina të veprojë.