Kryeministri Edi Rama një takim me mjekët dhe infermierët e Klosit dhe Matit, ka njoftuar se paga për mjekët e familjes do të rritet me 20 mijë lekë dhe për infermierët me 15 mijë lekë, deri në vitin 2024.
Rama, theksoi se me rritjen e pagave për bluzat e bardha, vendi ynë shkon në nivelin e lartë të pagave në rajon.
“Jam shumë i kënaqur që arritëm më në fund këtë kthesë të madhe, jo vetëm për bluzat e bardha por për të gjithë. Filluam me mjekët specialistë, si një sinjal domethënës për të gjithë, jo vetëm për bluzat e bardha por për të gjithë dhe pastaj për të tjerët. Mjekëve specialistë nuk do t’ju rritet paga vitin që vjen, sepse e kanë marrë këtë vit të gjithën. Por të gjithë të tjerëve në rrogën që do merrni tani do keni rritjen e parë dhe pastaj Prill me Prill ju do të merrni edhe shtesën tjetër. Do t’ju rritet paga me 20 mijë lekë mjekëve dhe për infermierët 15 mijë lekë të reja. Faktikisht me këto rritje ne shkojmë në nivelin e lartë të rajonit”,- theksoi kryeministri Edi Rama.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konsideroi rritjen e pagave si një zotim të mbajtur nga qeveria shqiptare.
“Bëhen efektive këtë muaj pagat e reja me +50 mijë lekë për mjekët specialistë. Kemi vijuar me mbajtjen e zotimit tonë për rritjen me 7% të pagave për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët dhe ashtu si kryeministri Rama e ka premtuar, në planin e reformës së pagave me rritjen e pagave për mjekët e përgjithshëm me 200 $ në muaj për të gjithë mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët tanë e 150$ në muaj në vitin 2024”,- tha Manastirliu.
Më shumë se 22 mijë punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, teknikë të shkencave mjekësore, por edhe punonjës të administratës spitalore do të përfitojnë nga rritja e pagave e cila ka hyrë në fuqi që këtë muaj.