Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, programin më të madh që ka zbatuar ndonjëherë një qeveri në vendin tonë, ishin rreth 80 miliardë lekë ( 730 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Ky program nisi në funksion të rikuperimit të pasojave që shkaktoi tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe ende vijon me kantiere të hapura. Kur kanë kaluar katër vite dhe po hyjmë në të pestin, është bërë gjithmonë e më e vështirë të kuptohet se pse ende mijëra familje janë rrugëve pa marrë banesën e premtuar.
Në fillim, projekti nisi me hapa të shpejtë dhe peshën më të madhe e përqendroi në vitet 2021 dhe 2022, kur nisën të shpërndaheshin banesat e para të reja.
Këtë vit, edhe vetë përfaqësuesve të qeverisë apo njësive vendore të prekura duket sikur u ka rënë ritmi i deklaratave për një program që përfundimi i shtyhet vazhdimisht.
Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë.
Në këtë kontekst, krahasimi është i thjeshtë. Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve.
Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale. Pak më shumë se 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.
Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet lidhur me rindërtimin, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces dhe mijëra familje mbeten në shtëpi me qira në pritje të përfundimit.
Në Durrës, deri më tani, kanë marrë një banesë të re 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë.
Kur pjesa e luanit e programit të Rindërtimit tashmë është konsumuar me më shumë se 3/4 e kostos së parashikuar të shpenzuar, pikëpyetjet që ngrihen janë të shumta, të lidhura me transparencën e projektit, përdorimin eficient të parave publike, pasojat negative financiare e sociale nga zvarritja e zbatimit, problematikat në zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe monitorimin e zbatimit.
Rindërtimi, deri në fund të 2023, shpenzimet totale arrijnë 92 miliardë
Buxheti i ndryshuar i vitit 2023 rialokoi fonde në një sërë zërash, ku ndër të tjera edhe rindërtimi. Në këtë zë, qeveria parashikoi që fondet të shtoheshin me 12 miliardë lekë.
Kjo shifër mbetet për t’u shpenzuar deri në fund të vitit, teksa aktualisht deri në nëntor, shpenzimet faktike sipas Ministrisë së Financave ishin 80 miliardë lekë.
“Në kuadër të realizimit të programeve të procesit të Rindërtimit, në ligjin e buxhetit të viteve 2020-2023 u sanksionua krijimi dhe administrimi i Fondit të Rindërtimit, i cili parashikonte fondet për financimin e nevojave lidhur me rindërtimin.
Shpenzimet faktike që nga momenti i krijimit të këtij fondi deri në nëntor të vitit 2023 janë: 28.5 miliardë lekë për njësitë e qeverisjes qendrore, 52 miliardë lekë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në total 80 miliardë lekë.
Me Aktin Normativ nr.5, datë 18.10.2023 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.84/2022, ‘Për buxhetin e vitit 2023’, fondi i rindërtimit për vitin 2023, u shtua me 12 miliardë lekë për financimin e plotë të të gjithë punimeve të kryera dhe avancimin e tyre” konfirmuan Financat për “Monitor”.
Kjo do të thotë se në total, në mbyllje të 2023, fondet e shpenzuara për rindërtimin do të arrijnë 92 miliardë lekë, apo rreth 840 milionë euro.
Për vitin 2024, qeveria ka parashikuar në Buxhetin tashmë të miratuar nga Parlamenti, një fond prej 7 miliardë lekësh, apo rreth 65 milionë euro, por askush nuk mund të thotë nëse programi do të shkojë përtej këtij viti apo do të shënojë mbylljen e tij.
Durrësi dhe Tirana, ende kantiere të hapura, nuk ka afat për përfundimin
Durrësi dhe Tirana janë Bashkitë me më shumë familje në pritje të një apartamenti apo banese të re, pas tërmetit të katër viteve më parë dhe që banesat iu klasifikuan me nivel dëmi DS5 (totalisht të shkatërruara).
Në Bashkinë e Durrësit u kategorizuan si DS5 me miratim nga Këshilli Bashkiak 1098 banesa individuale.
Sa u takon pallateve për rindërtim, ishin 12 në Durrës, 7 në njësinë administrative të Sukthit dhe 1 pallat në njësinë administrative Katund i Ri në të njëjtin vend ku ishin më parë.
Për Durrësin u miratuan edhe dy të reja për zhvillim siç janë Manza dhe Spitalla. E para tashmë e përfunduar prej kohësh dhe e planifikuar për strehimin e 226 familjeve ndërkohë e dyta, e projektuar për 996 apartamente në 85 pallate 4-katërshe ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj, por apartamentet ende nuk janë dorëzuar.
Një procedurë e tillë nuk pritet të jetë e lehtë, pasi familjet që kanë pasur një apartament në Durrës kanë shprehur rezistencë për t’u zhvendosur në këtë zonë të re. Edhe pse një pjesë kanë pranuar, ka ende nga ata që nuk janë dakord. Një fakt të tillë e pohon edhe vetë Bashkia.
“Në lidhje me banesat individuale kanë shprehur vullnetin e tyre qytetarët për t’u zhvendosur në zonat e reja për zhvillim, ndërsa në lidhje me banorët që kanë jetuar në apartamente është hasur vështirësi në fillim, por me punën dhe angazhimin e njësive është bërë i mundur ndërgjegjësimi i familjeve dhe është marrë mirëkuptimi dhe kanë pranuar të transferohen shumë familje”, – pohon Bashkia për “Monitor”.
Lidhur me ndërtesat që u klasifikuan si DS4, ku duhet të bëhen riforcime për t’i kthyer parametrat e sigurisë, Bashkia e Durrësit nënvizon se ka ende punë para, edhe pse fondet janë miratuar.
“Për sa u përket objekteve me nivel dëmi DS4, janë në total 96 objekte me nivel dëmi DS4 pallate dhe 101 shtëpi individuale, për të cilat janë miratuar fondet për riforcimin e tyre, disa prej tyre kanë përfunduar, disa të tjera janë në proces zbatimi punimesh riforcimi”, – konfirmon Bashkia.
Tirana, nga ana tjetër, ka dy zona të reja zhvillimi me disa mijëra familje që ende janë nëpër banesa me qira, diçka që ka bërë që në buxhetin e bashkisë, fondet e strehimit të kenë peshë më të lartë vitet e fundit.
Në zonën e 5 Majit synohet që të strehohen 11 mijë banorë, ndërkohë që parashikohen 3500 apartamente, kurse në Kombinat, e pagëzuar si “KomninArt”, Bashkia deklaroi se do të shtrihej në disa faza. Në fazën e parë do të ndërtoheshin rreth 3 mijë apartamente.
Premtimet e Bashkisë se banorët do të ishin në një shtëpi të re ndryshojnë afat herë pas here, por fakt është që sot këto lagje të reja janë ende të papërfunduara. Këtë e konfirmoi vetë kryebashkliaku Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024 të Bashkisë që ai drejton.
“Te lagjja ‘5 Maji’ jemi afër fundit me banesat aty, ndërkohë edhe 7 pallatet në Kombinat po mbarojnë, por do ishte mëkat që ta linim pa infrastrukturë.
Ne nuk duam të bëjmë konvikte për njerëzit që i gjeti fatkeqësia e tërmetit. Aty do të transferohen edhe institucione të qeverisë dhe të bashkisë, por mbi të gjitha, do të bëjmë infrastrukturë. Se po i lamë vetëm si banesa, pa infrastrukturë, pa rrugët e mira, pa parqe, pa parking, nuk shkon.
Një pjesë e buxhetit do të shkojë për infrastrukturën mbështetëse të këtyre lagjeve”, u shpreh Veliaj.
Afatet për mbylljen e rindërtimit në të dyja Bashkitë, si Durrësi dhe Tirana, janë të paparashikuara. Këto të fundit, që prej fillimit, ndryshojnë vazhdimisht duke e shtuar kalvarin social të familjeve që presin të kenë një çati mbi kokë pas fatkeqësisë së 2019-s./ Monitor