Të jesh VIP sot është kthyer në trendin e kohës, kur shumica e njerëzve e shesin veten si njerëz ose personazhe të njohur të TikTok-ut dhe Instagram-it.
Shkurt, Shqipëria është kthyer në një vend VIP-ash, ose të paktën ashtu e pretendojnë veten. Kemi VIP-a në Instagram, VIP-a në TikTok, VIP-a kudo. VIP-a që na mësojnë si të vishemi, si të fitojmë lekë, si të jemi sa më banalë, një edukatë aspak e përshtatshme për një VIP.
Nuk e dimë ta quajmë mallkim apo bekim të qenurit VIP, por një gjë është e sigurt: Janë kthyer në shembull dhe inspirim për të rinjtë.
Por, pse po shohim kaq shumë VIP-a kudo? Sot, njerëzit janë të gatshëm të shesin çfarëdo, nderin e moralin, vetëm për të marrë statusin VIP. Kemi të bëjmë me një luftë klikimesh, kush e kush është më i famshëm.
Në njëfarë mënyre, të jesh VIP për ta do të thotë që ke shumë para, je njeri me rëndësi dhe influencë dhe bën një jetë me standarte më të larta se pjesa tjetër. Po harrojnë se po bëhen VIP-a duke mos bërë asgjë, pa punuar, por duke shpërndarë një kanal të pafundmë banalitetesh nëpër rrjete sociale.
Shkurt, parazitë të modernizuar që e kanë për privilegj të jenë të tillë.
Duke parë se sa shumë po iu referohet brezi i ri, qoftë në mënyrën e sjelljes, standartet që vendosin dhe liria që po u jep sot teknologjia për të naviguar, duket se po rrisin një brez VIP-ash TikToku, që si kujtim do të mbajnë filmimet banale, fotot s*ksi dhe asgjë për të cilën do të kenë vlerë.
Dashur pa dashur, të kaluarit kohë para ekranit të celularit s’po na sjell ndonjë dobi, veçse po na bën të dëgjojmë natë e ditë të ashtuquajturit VIP-a që na shesin moral dhe na japin këshilla për jetën.