Lidhja 4-vjeçare me një vajzë e Albano Domit, e cila ishte mbyllur rreth një muaj më parë, u bë shkak për konfliktin me shkrehje armësh të premten, (22 mars 2024) në Shijak, ku nga shkëmbimi i të shtënave mbeti i plagosur një person i rastësishëm, Enidor Dedja.
Domi, edhe pse ishte ndarë nga ish e dashura, sërish vijonte nga ngacmonte. Burime pranë bluve u shprehën se rreth një javë para konfliktit të armatosur Albano Domi shkoi në Tiranë dhe ngacmoi vajzën dhe kjo e fundit të gjithën mësohet se ia ka rrëfyer të motrës.
E motra, e cila bashkëjeton me një djalë tjetër, Xhejms Palodhin, ia ka treguar këtij të fundit se ish i dashuri vijonte t’i ngacmonte motrën. Një ditë para të shtënave në Shijak, Palodhi dhe Domi u takuan në Durrës dhe nga debati që i kërkonte të mos i ngacmonte më kunatën, të dy përfunduan duke u rrahur me njëri-tjetrin.
Albano Domi mësohet se dëmet e shkaktuara nga përplasja fizike me 33-vjeçarin Xhejms Palodhi i justifikoi para policisë sikur kishte rënë nga shkallët. Ditën e konfliktit, Palodhi mori me vete mikun e tij Arbër Hoxha dhe shkuan në Shijak me pretendimin për t’u sqaruar me Domin dhe sapo kanë hyrë në dyqanin e tij ka nisur përleshje mes të treve, e cila ka vijuar me nxjerrjen e armës nga Arbër Hoxha, një plumb prej të cilit preku Enidor Dedjan, pa asnjë lidhje me konfliktin.
Në këtë rrëmujë plumbash, Albano Domi ka nxjerr pistoletën dhe u është kundërpërgjigjur agresorëve, por plumbat e armës së tij, për fat të mirë, nuk dëmtuan njeri.