Parlamenti Evropian i ka thënë stafit që të fshijnë TikTok nga pajisjet e përdorura për punë për shkak të shqetësimeve për mbrojtjen e të dhënave, pas lëvizjeve të ngjashme nga organet kryesore qeverisëse të BE-së javën e kaluar.
Presidentja e parlamentit, Roberta Metsola dhe sekretari i përgjithshëm, Alessandro Chiocchetti, vendosën që TikTok të mos përdoret ose të instalohet në pajisjet e stafit si telefonat celularë, tabletët ose laptopët nga 20 marsi, sipas një shënimi të lëshuar të martën.
Ai gjithashtu “rekomandoi fuqimisht” eurodeputetët dhe stafi i tyre të heqin TikTok nga pajisjet e tyre personale.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i bllokut, dhe Këshilli Evropian, i cili përfaqëson 27 shtete anëtare të BE-së, urdhëruan një ndalim të ngjashëm të enjten për shkak të frikës nga siguria kibernetike.
TikTok tha se ndalimet ishin “të gabuara dhe të bazuara në keqkuptime themelore” dhe bëri thirrje për “proces të rregullt dhe trajtim të barabartë”.
Kompania shtoi se vendimi ishte marrë “në bazë të frikës dhe jo fakteve”.
Ka pasur një mori veprimesh të ngjashme në ditët e fundit, duke ndjekur hapat e Uashingtonit kundër platformës popullore të ndarjes së videove në pronësi të kompanisë kineze ByteDance.
Perëndimi është veçanërisht i shqetësuar rreth asaj se çfarë aksesi ka Kina në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve në mbarë botën, por TikTok mohon me forcë që Pekini të ketë ndonjë kontroll apo akses.
Në nëntor, TikTok pranoi se disa persona nga stafi në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.
Megjithatë, javën e kaluar, kompania këmbënguli se mbron të dhënat e 125 milionë përdoruesve të saj mujorë në Bashkimin Evropian.
Shtëpia e Bardhë të hënën u dha agjencive federale 30 ditë për të hequr TikTok nga të gjitha pajisjet e lëshuara nga qeveria pas një ndalimi të urdhëruar nga Kongresi amerikan në fund të vitit të kaluar.
Në të njëjtën ditë, qeveria e Kanadasë ndaloi TikTok nga të gjithë telefonat dhe pajisjet e tjera, duke përmendur shqetësime të ngjashme për mbrojtjen e të dhënave në mes të marrëdhënieve të tensionuara kanadezo-kineze.
Në Evropë, parlamenti i Danimarkës njoftoi të martën se u kishte kërkuar deputetëve dhe të gjithë stafit që të hiqnin aplikacionin nga pajisjet celulare për shkak të “rrezikut të spiunimit”.