Një mega-operacion është ndërmarrë në të gjithë vendin, aksion i cili kishte si qëllim goditjen e personave të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Policitë e qyteteve të ndryshme, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, FNSH dhe RENEA kanë arrestuar dhjetëra persona.
Sipas të dhënave të deritanishme, në të gjithë vendin janë arrestuar mbi 200 persona. Si pasojë e operacionit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme kokaine dhe kanabis. Raportohet se është sekuestruar edhe një lloj droge e re, e papërdorur më parë në vendin tonë e cila vinte në Shqipëri me postë. Hetimet kanë nisur 6 muaj më parë dhe Prokuroria i ka dokumentuar faktet me përgjime, duke i mbajtur nën vëzhgim. Madje edhe duke bërë blerje të stimuluara.
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 112 urdhër-arreste, ku pothuajse të gjitha janë ekzekutuar. Lënda narkotike shpërndahej thuajse në të gjithë Tiranën, në Vorë, në qendër të kryeqytetit, në ‘Shkollën e Bashkuar’, në ish-Bllok, në Kamëz dhe në zonën e ‘Tiranës së Re’. 8 prej personave të përfshirë në këtë veprimtari kanë qenë të arrestuar më herët në operacione të mëparshme.
Edhe në Durrës ka pasur kontrolle ku janë arrestuar 20 persona, si shpërndarës apo prodhues të lëndëve narkotike.
Operacioni antidrogë është shtirë edhe në qarkun e Korçës. Burime të policisë bëjnë të ditur se rreth 18 persona janë arrestuar gjatë orëve të fundit nga Drejtoria Vendore e Qarkut të Korçës. Në operacion janë përfshirë më shumë 50 forca policie jo vetëm në qytetin e Korçës por edhe në zonat e tjera të juglindjes së vendit.
Të arrestuarit mësohet se janë kryesisht shpërndarës të lëndëve narkotike përfshi dhe ato të forta ashtu siç mësohet të jenë arrestuar persona të cilët njihen si prodhues e shpërndarës të lëndëve narkotike. Operacioni po vijon në Korçë, Maliq dhe Pogradec.
Edhe në qytetin e Elbasanit janë arrestuar 7 persona dhe ndërkohë 5 të tjerë ndodhen në kërkim. Mes të ndaluarve është edhe një punonjës policie.
Pritet që Policia e Shtetit dhe Prokuroria të dalin me një deklaratë zyrtare për të sqaruar të gjitha detajet e këtij mega-operacioni të shtrirë ë të gjithë vendin.