Spektakël dhe lumë golash në miqësoret e luksit në tokën amerikane. Real Madrid shkëlqeu përballë Manchester United, teksa triumfoi me shifrat e pastra 2-0. Blerjet e kësaj merkato vere ishin ata që bënë diferencën në fushën e lojës. Jude Bellingham dhe Joselu shënuan golat e fitores për ‘mbretërorët’, duke thyer edhe debutuesin Onana në katërkëndëshin e “djajve të kuq”. Sulmuesi spanjoll shënoi me një rofeshatë të bukur, ndërsa fitoi zemrat e tifozëve duke puthur stemën e Real Madrid të gdhendur në bluzë.
Arsenali mposhti mes spektaklit Barcelonën. Anglezët triumfuan me shifrat 5-3, në një 90 minutësh ku nuk munguan kartonat dhe humbje penalltie. Festivali i golave nisi nga këmbët e Lewandowski, që kaloi në epërsi Barcelonën. Gjithsesi, Arsenal reagoi me anë të Saka, i cili pak minuta pas këtij goli shpërdoroi edhe një 11 metërsh. Raphinha kaloi sërish në avantazh Barcelonën, gjithsesi Arsenal barazoi llogaritë para fundit të pjesës së parë me anë të Kai Havertz. Dominimi i Arsenal u vu re në fraksionin e dytë të lojës, me Trossard që realizoi dopietë golash dhe thelloi avantazhin e londinezëve. Ferran Torres u përpoq të rikthente në lojë Barcelonën me golin e 4-3, megjithatë Vieira vulosi fitoren e Arsenalit me shifrat përfundimtare 5-3.