Atalanta mundi Milanin 2-1 dhe u kualifikua në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, ku edhe do të përballet me Fiorentinën.
Në “San Siro”, kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 45-të me Leaon. Por përpara përfundimit të pjesës së parë, Atalanta barazoi me Koopmeiners. Në të 58-tën minutë, Jimenez ndërhyri keq ndaj Miranchuk, dhe arbitri Di Belo akordoi penallti.
Vendimi solli reagime te kuqezinjtë, për të cilët 11-metërshi nuk duhej dhënë. Nga pika e bardhë, Koopmeiners nuk gaboi përballë Manjo.
Nga minuta e parë luajti mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti, që dha siguri në prapavijë. Bergamaskët shkojnë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë për herë të tetë në historinë e tyre. Trajneri i “Djallit” Stefano Pioli shprehu pakënaqësitë pas takimit.
‘Ne luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë dhe e merituam avantazhin. Por bëmë gabim që lejuam barazimin. Ndeshja ndryshoi për shkak të një penalltie që realisht nuk ishte, e kjo është e vërteta. Më pas u hutuam dhe nuk mundëm të bënim paraqitje të mirë’, u shpreh trajneri i Milanit.
“Djalli” ka humbur 3 nga 4 sfidat e fundit të Kupës së Italisë.