Ditën e djeshme një ngjarje aspak e këndshme ndodhi në qytetin e Lezhës në gjimnazin ‘‘Hydajet Lezha”, ku gjimnazisti 16-vjeçar goditi me karrige në kokë mësuesen e tij. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, mësuesja u dërgua në spital ndërsa adoleshenti u shoqërua në komisariatin e policisë. Është vërtet një veprim i gabuar duke pasur parasysh se mësimdhënësi është i shenjtë dhe duhet respektuar për vlerën dhe rëndësishme që ka, por çfarë ndodh kur ky mësimdhënës ‘i shenjtë’ nuk është i denjë për të gjitha vitet e eksperiencës që mban mbi supe?
E vërteta e ngjarjes së ditës së djeshme është më e koklavitur se sa duket. Në Shqipërinë tonë, është trend që të mbivlerësohet viktima (në këtë rast mësuesja) por ndonjëherë e vërteta qëndron edhe në krah të agresorit nëse do të dimë të ndajmë faktet dhe të gjykojmë ftohtë.
Çfarë veprimi mund të presësh nga një adoleshent ku përveç periudhës së vështirë moshore që po kalon, i përmenden familjarët dhe bullizohet non stop nga mësuesja, që supozohet të jetë prind i dytë.
Nga nxënësit dëshmitarë dhe dëshmitë e familjarëve, mësuesja ka ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjikë ndaj gjimnazistit duke i përmendur babanë e tij i cili nuk jeton më. Si mundet, një mësuese me mbi 20 vite eksperiencë të bëhet burimi kryesor i dhunës psikologjike dhe burim i bullizimit?
Sa prej jush që jeni prindër do të toleronit që personit të cilit i besoni fëmijën tuaj, ta dhunojë psikologjikisht dhe t’i përmendë plagë që për një adoleshent mund të rezultojnë fatale e mund të shkojnë deri në pikën që fëmija të lëndojë veten.
Për çfarë arsyeje del ministrja e Arsimit dhe i ngre një lapidar një mësueseje bullizuese dhe kryqëzohet një adoleshent që i mungon njëri prind dhe mbron kujtimin e tij? Pse kjo është fryma që duhet t’u jepet të rinjve, që fiton nëse bullizon dhe ushtron dhunë psikologjike kur je mbi të tjerët? Nesër ky adoleshent i cili në këtë episod ‘ka humbur’, do të veprojë njëjtë si mësuesja e tij ‘fituese’ sepse e sheh si shembull dhe mendon se duke u sjell keq mund të fitojë.
Mos kërkoni djem të edukuar dhe të udhës, mos gjykoni më asnjë dhunë mes adoleshentëve, madje mos dilni të solidarizoheni kur vriten të rinjtë me njëri-tjetrin, sepse kështu po i mëson sistemi dhe kështu po i ushqen shoqëria.
Shënim: dhuna e asnjë lloj forme nuk justifikohet dhe nuk legjitimohet, por duhet të pyeten të gjithë aktorët për të dalë në një konkluzion dhe në këtë rast nuk është vepruar kështu…/ Klara Murra