Kulla Eiffel e cila ndodhet në Paris, është amortizuar dhe ka nevojë për riparime. Ky është konstatimi i një raporti të publikuar nga mediat franceze, e cila sugjeron se simboli i Francës, “mezi po qëndron në këmbë”.
Kur u ndërtua në vitin 1889, Kulla Eiffel ishte parashikuar që të qëndronte për 20 vite përpara se të fillonte dhe të ndryshkej dhe të dëmtohej. Por pas 133 vitesh, ajo qëndron sërish në zemër të Parisit, për shkak të mirëmbajtjes dhe vëmendjes që i kanë kushtuar autoritetet.
Sipas raportit të publikuar nga revista franceze Marianne, kulla ka nevojë për një riparim total, por autoritetet do ta rregullojnë vetëm në mënyrë sipërfaqësore për shkak të lojrave olimpike që do të zhvillohen në vitin 2024 në Paris.
“Nëse Gustave Eiffel do të ishte gjallë dhe do të vizitonte kullën, do pësonte atak kardiak për shkak të gjendjes së rrënuar” – thotë një prej menaxherëve të kullës për revistën franceze.
Kulla prej hekuri 324 metra e gjatë dhe 7300 tonë u ndërtua për panairin botëror të vitit 1889.
Eiffel, inxhinieri civil, kompania e të cilit projektoi dhe ndërtoi monumentin, tha se identifikimi dhe ndalimi i përhapjes së ndryshkut ishte sfida më e madhe për jetëgjatësinë e ndërtimit dhe sugjeroi se do të kishte nevojë për lyerje çdo shtatë vjet.