Porto besoi deri në fund dhe festoi në shtesë fitoren kundër Arsenalit në Ligën e Kampioneve.
Takimi i parë i raundit të 16-të Porto-Arsenal ishte emocionues në fund të tij. Portugezët fituan kundër “topçinjve” falë një goli të shënuar nga Galeno në minutën e 93-të lojës.
Siguri në prapavijë portugezëve u dha Pepe, lojtari më i vjetër që luan në fazën e eliminimit direkt të kompeticonit, në moshën 40 vjeçare.
Në fund të sfidës, trajneri i Arsenalit Mikel Arteta analizoi lojën e ekipit të tij.
“Ne dominuam lojën, por na mungoi qëllimi! Tani është e qartë, u luajt pjesa e parë! Nëse dëshiron të jesh në çerekfinale, duhet të mposhtësh kundërshtarin. Ky do të jetë qëllimi dhe plani për sfidën e kthimit. Ta realizojmë këtë së bashku me tifozët tanë!”
Për trajnerin e Portos, Serxhio Konceiçao , ekipi i tij bëri një paraqitje të mirë.
Sa i përket ndeshjes, jam i kënaqur me punën që kanë bërë lojtarët tanë. Kuptuan lojën e rivalëve, jo vetëm në sulm, por edhe në mbrojtje. Duhej të ishim pothuajse perfekt në mbrojtje për të mos lejuar Arsenalin të godiste në portën tonë.
Ndeshja e kthimit do të luhet më 12 mars në stadiumin “Emirates”.