Dymbëdhjetë persona, mes tyre dy kryeinspektorë dhe dy inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), punonjës të policë dhe të pandehur të tjerë, janë dënuar nga gjykata e Lushnjës, pasi lejuan 37 ndërtime të paligjshme për një periudhë 18 mujore (në 2019-2022) në territorin e bashkisë Lushnjë. 4 zyrtarët e IMT u dënuan me nga 6 muaj burg, ndërsa 2 policët u dënuan me nga 2 vite burg.
‘Nga hetimi dhe gjykimi rezultoi se në periudhën Prill, Gusht 2019 dhe Janar 2021 – Mars 2022, në territorin administrativ të Bashkisë Lushnjë janë kryer 37 ndërtime të paligjshme, për të cilat nuk është vepruar sipas ligjit prej kryeinspektorit dhe inspektorëve të Inspektoratit Mbrojtjes së Territorit Vendor, Bashkia Lushnjë, apo është vepruar prej tyre pas vënies në dijeni për fillimin e hetimeve nga organet e hetimit, për t’i shpëtuar ndjekjes penale. Nga këto ndërtime të paligjshme, 31 janë të periudhës Janar 2021 – Mars 2022 dhe 6 të periudhës Prill- Gusht 2019.’- njofton prokuroria.
Në 25 raste të ndërtimeve pa leje nuk janë vendosur gjoba dhe nuk janë prishur objektet, ndërsa në 12 raste të ndërtimeve pa leje janë vendosur gjoba pasi kanë nisur hetimet.
‘Konkretisht, ka rezultuar se në 25 raste të ndërtimeve të paligjshme, nuk janë mbajtur akte konstatimi, vendime për dënimin me gjobë apo vendime për prishje objekti të paligjshëm nga I.M.T., Bashkia Lushnjë, kurse në 12 (dymbëdhjetë) raste të ndërtimeve të paligjshme, janë marrë masa administrative prej I.M.T..Bashkia Lushnjë vetëm pas vënies në dijeni të ndjekjes së tyre prej organeve të hetimore apo pas informacionit të kërkuara nga Prokuroria lidhur me to.’- njofton prokuroria.
2 policët e dënuar morën ryshfet nga dy persona që ndërtuan pa leje, thotë prokuroria.
‘Në kuadër të hetimeve të kryera me metoda speciale është zbuluar dhe dokumentuar edhe një rast korrupsioni, ku janë përfshirë në bashkëpunim, në rolin e pranuesve të vlerave monetare, dy punonjësit e policisë, të pandehurit B.H. dhe H.T., dhe në rolin e dhënësve të vlerave monetare dy shtetas, të pandehurit P.T. dhe E.Sh.’- njofton prokuroria.