Sot zhvillohet seanca e fundit plenare për këtë sesion. Pas një sesioni të ngarkuar me zhvillime politike, deputetët do rikthehen në shtator për të diskutuar dhe miratuar ligje të reja. Gjatë ditës së sotme parashikohet raportimi i disa institucioneve për vitin 2022. Ndërkohë që ato që mund të prodhojnë debat janë dy projektligjet për legalizimin e kanabisit mjekësor dhe projektligji për studentët e mjekësisë.
Opozita ka debatuar ashpër që në diskutimet në Komisione dhe pritet të mbajë qëndrim kundër edhe në këtë seancë të fundit ndërsa po sot pritet edhe një protestë e studentëve të mjekësisë të cilët kundërshtojnë sanksionimin e tyre për të punuar 5 vite në Shqipëri pas diplomimit. Kuvendi pritet të fusë për votim edhe projekt-ligjin për “Akademinë e Shkencave”, që i hap rrugë dhënies së mandatit të dytë në krye të Akademisë, Skënder Gjinushit.