Kreu i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca zhvilloi një prononcim për mediat pas takimit me Ramën, ku u shpreh se refuzimi nga ana e Kurtit për takimin me të duhet respektuar pasi ka qenë mbledhja e dy qeverive ajo që dëmtoi marrëdhënien mes dy vendeve. Ai shtoi se i kërkoi Ramës të jetë në të njëjtën linjë në qasjen që ka Serbia ndaj Kosovës.
“Unë ia shpjegova që jemi vendosur në këtë pozitë para dëshirës sonë. Serbia na ka vënë para këtyre opsioneve. Ne nuk kemi probleme shtetërore me Shqipërinë. Problemi ka ardhur nga ana e Shqipërisë sepse pa arsye madhore anuloi mbledhjen e shumëpritur të qeverive. Nuk është acarim i raporteve aq sa mos të takohen fare. Unë do e kisha përdorur shprehjen lëndim, ne u lënduam nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive, po jo aq sa mos ta presim Ramën. Me këtë Kosova vetëm mund të dëmtohet. Rama ka ndarë elementët e asociacionit por ai pretendon se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mua më është dukur se aty ka një autonomi të serbëve në veri”, – tha ai.
I pyetur nëse u konsultua kryeministrin Kurti para takimit, kryeparlamentari u përgjigj kështu: “Asgjë nuk ndodh pa konsultimet me Kurtin. Refuzimi i Kurtit, ka qenë ide e tij dhe duhet respektuar. Marrëveshjet janë nënshkruar dhe ishte dëm i madh që nuk u bë në mbledhjen e qeverive. Ramën e pritën krerët më të lartë shtetërore, nëse do të ishim kundër tij nuk do e takonim. Kërkuam që ta ketë sensin tonë të situatës, Kosovën do ta ndihmonte që të kishte përputhshmëri në relacion me çfarë përjetojmë ne nga Serbia. Nëse ne pajtohemi me idenë sesi është qasja e Serbisë ndaj nesh, nëse kemi dallime ne nuk jemi duke i shërbyer qytetarëve të vendit tonë.”