Një ngjarje e cila mund të pasohet me incidente të mëtejshme ka ndodhur mëngjesin e sot në Zubin Patok në Kosovë. Një automjet me targa RKS është gjetur e djegur por ajo që bën përshtypje është se mjeti është në pronësi të një shtetasi serb.
Mediat vendase shpjegojnë se mjeti mund të jetë djegur nga shtetasit serbë si shenjë protestë për bashkëatdhetarin e tyre për arsyen se ka pranuar që t’i bindet Kosovës. Djegia e mjetit vjen një ditë pasi qeveria e Kosovës nisi zbatimin e planit për regjistrimin e makinave serbe me targa kosovare.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parashikon gjobë deri në 150 euro dhe e treta targa provë. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.