Vijon numërimi i votave për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë Kukës. Sipas faqes së KQZ deri më tani kryeson kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj. Në lidhje me këtë avantazh ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit e cilëson këtë avantazh si fitore të pathyeshme e cila përkthehet në besimin që qytetarët i kanë dhënë sërish kësaj force politike në Kukës. Rama ka falenderuar të gjithë qytetarët për besimin e dhënë.
“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin”, u shpreh Rama.
Zgjedhjet në Kukës mbahet pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici pas skandalit seksual në zyrën e tij.