Gjykata Penale Tiranë ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për 3 zyrtarët e Ushtrisë në Zall-Herr të cilët u arrestuan dy ditë më parë për kultivimin e 125 rrënjëve kanabis të mbjella në repartin ushtarak.
3 zyrtarët e Ushtrisë kanë mohuar të kenë lidhje dhe dijeni me kanabisin e mbjellë. Ata janë shprehur se e kanë të pamundur që të kontrollojnë 140 hektarë tokë dhe në lidhje me këtë pamundësi të tyre kanë lajmëruar edhe eprorët. Mbrojtja e 3 zyrtarëve pretendon se pa akt-ekspertim nuk mund të akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.
Për kultivimin e 125 rrënjë kanabis në repartin ushtarak u arrestuan Gramoz Mullai, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda, akuzohen për veprën penale ‘shpërdorim detyre’.
Burime bëjë me dije se lënda narkotike e ndarë në 6 parcela dyshohet të jetë mbjellë në muaj maj. Po ashtu ajo ishte e lartë 2 metra e 30 cm. Në polici kanë dhënë shpjegime 13 persona.