Pak orë para nisjes së “Sunny Hill Festival” Dua Lipa ka dalë në një konferencë për mediat në Prishtinë.
Artistja mbërriti në Kosovë natën e kaluar dhe ka publikuar një foto nga parku i Gërmisë aty ku do të mbahet festivali, ndërsa u shpreh se mezi pret natën e sotme.
Gjatë konferencës këngëtarja me famë botërore u shpreh se ndihet krenare dhe shumë e lumtur për faktin që ndodhet sërish në vendin e saj teksa tha se të gjithë vëmendjen e ka tek performnaca e sotme.
“Dua vetëm të falënderoj të gjithë për ndihmën, energjinë dhe dashurinë që na jepni në këto ditë dhe mbështetjen për fondacionin që e kam shumë përzemër, ndjehem krenare që jam këtu, vëmendjen e kam patur vetëm të performanca, shpresoj që do t’ju pëlqej e të kënaqemi, po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time, në vendin tim”, u shpreh Dua.
Në konferencën për media bashkë me babanë e saj Dukagjin Lipa dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ajo foli edhe për performancën që do të mbajë sot në festival.
“Nuk mund të tregoj çfarë do të vesh. Është shumë speciale dhe është krijuar vetëm për performancën në Prishtinë. Është ndjesi shumë e mirë të performoj në Prishtinë, s’ka ndjenjë më të mirë. Mezi po pres me të ndjej emocionet para se të dalë në skenë”, tha ajo
26-vjeçarja do të hapë sonte festivalin me performancën e saj. Në skenë do të ngjiten këngëtarë ndërkombëtarë si J Balvin, Diplo dhe Skepta apo artistë shqiptarë si Kida, Yll Limani e Elvana Gjata.