Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit në shenjë hakmarrjeje orët e para të mëngjesit të 19 prillit, një veprim që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin rajonin e Lindjes së Mesme. Izraeli kishte paralajmëruar se do t’i kundërpërgjigjet Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë e raketa.
Menjëherë pas sulmit, Teherani aktivizoi sistemin e mbrojtjes ajrore, ndërsa tha se centralet bërthamore janë të sigurta. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme, citojnë mediat shtetërore iraniane një gjeneral ushtrie.
Për shkak të sulmit u pezulluan fluturimet në disa aeroporte, ndërsa tashmë gjendja është kthyer në normalitet. Fluturimet kanë nisur edhe në aeroportin kryesor të Teheranit, Imam Khomeini. Ushtria izraelite nuk ka komentuar për sulmin.
Ndërkohë, Izraeli i kishte thënë SHBA-së të enjten se do të hakmerrej kundër Iranit në ditët në vijim, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN. Zyrtari thekson se SHBA nuk e kishte miratuar kundërsulmin dhe se nuk është përfshirë në operacion.