Shqipëria ndër vite është krenuar me sportistët e saj, veçanërisht në boks. Mjafton të përmendim këtu Florian Markun, Luan Krasniqin, Ilir Latifin, Alban Beqirin, Kreshnik Qaton etj. Por, të tjerë boksierë, deri diku në hije nga shteti, janë prezentë dhe të suksesshëm në rrugëtimin e tyre, shpeshherë jashtë Shqipërisë.
Përtej errësirës në qiellin e boksit, një ‘yll’ i ri është duke shkëlqyer me madhështinë e tij, me forcën dhe karakterin prej ‘shqiptari’ trim. Bëhet fjalë për 22-vjeçarin nga Malësia e Madhe, Amarildo Bakaj, një i ri, i cili të impresionon me aftësitë e tij në këtë sport e për këtë mjafton të shpenzoni pak minuta kohë për të parë videot dhe na besoni: KENI PËR T’U HABITUR!
Do të habiteni me shpejtësinë me të cilën i lëshon grushtet në drejtim të kundërshtarit apo në drejtimin e thesit të boksit. Zakonisht, boksierët njihen për grushte të fuqishëm, por Amarildo i ka të dyja, edhe shpejtësinë, edhe forcën.
Për t’u ndalur pak tek rezultatet e tij marramendëse, ku nëse i referohemi statistikave, rezulton se, Bakaj ka 43 ndeshje në boksin amator dhe 7 ndeshje në boksin profesionist, ku të 7-ta ndeshjet i ka të fituara me K.O.
PO KUSH ËSHTË AMARILDO BAKAJ? NGA FËMIJËRIA, TEK AI QË ËSHTË SOT:
Amarildo Bakaj, në moshën 14-vjeçare zgjodhi të emigrojë në drejtim të Gjermanisë për një jetë më të mirë dhe për të siguruar të ardhura për veten e tij dhe për familjen. E duket se ai nuk zgjodhi rrugën e shkurtër e të errët, por zgjodhi sportin e boksit.
Ëndrra e tij është që të bëhet kampion boksi e një ditë të ndeshet me më të mëdhenjtë i mbuluar me flamurin shqiptar. Por, e dinte mjaft mirë, që për të qenë ai që kishte ambicie, i duhej më parë të kalonte disa pengesa jo të lehta, për më tepër në një vend të huaj dhe aq të madh sa Gjermania, ku edhe mundësia për t’u bërë dikush në këtë sport ‘të fortësh’ ishte tepër e ulët, duke pasur parasysh edhe konkurrencën e madhe që e priste.
Por ai nuk u dorëzua asnjëherë dhe që në fillimet e tij kërkoi ndihmën e një trajneri gjerman, i cili do ta ndihmonte atë të ‘fuste këmbët’ në këtë rrugëtim tijin, e ku mundi, durimi, pasioni dhe talenti e kanë ndihmuar të arrijë deri këtu ku ai është sot.
“Sa erdha në Gjermani, pasi kaloi një javë, fillova të interesohesha ku ka klub boksi, i mora të gjitha palestrat me radhë deri sa gjeta një klub boksi i cili ishte klubi më i famshëm në atë zonë. Hyra brenda këtij klubi sporti me plot guxim dhe takova trajnerin, i thashë që kam ardhur nga Shqipëria dhe dua të ndërtoj karrierën time këtu në Gjermani, më pa dhe më pyeti: E ke idenë e boksit ?! Jo, iu përgjigja, nuk kam boksuar më parë , por nuk kam frikë nga ky sport. Në bashkëbisedim e sipër po i kërkoja të më jepte mundësinë për të treguar aftësinë time në sport. Ai qeshi dhe më tha se ky sport nuk është përrallë; Djalosh mund të humbësh edhe jetën, më tha! Me këto fjalë më bindi pak, por unë përsëri këmbëngula në idenë time se doja patjetër të ngjitesha në ring. Ai e kuptoi dëshirën time të madhe për këtë sport dhe mori përsipër të më stërviste nga zeroja, duke më mësuar hapat e parë në boks. Pas stërvitjes 3 javore, e ndjeva veten shumë mirë. Ndjeja që isha gati të ngjitesha në Ring, trajneri më dha mundësinë të ndeshesha me një boksier tjetër dhe u habit që në 3 javë stërvitje kisha një rezultat super të mirë. Insistova dhe një herë duke i kërkuar trajnerit përsëri ndeshje dhe pas një jave më organizoi një ndeshje tjetër. Ai ishte më profesionist se unë duke qenë se kishte më shumë eksperiencë dhe fitova në raundin e dytë me K.O. U arrit rezultati me fitore nga ana ime, nuk e imagjinoni dot gëzimin tim në ato momente, dukej sikur kisha triumfuar mbi jetën. Rezultati doli 1:0 në favorin tim. Pas 2 javësh kisha përsëri ndeshje, por për fat të keq, humba. Ky rezultat më lëndoi shumë dhe më brengosi sepse mendoja se do humbisja gjithmonë, por trajneri mu gjend pranë duke më thënë se më duhet më shumë stërvitje, minimalisht 1 vit stërvitje. Nuk pata asnjë ndeshje për 6 muaj, vetëm u stërvita. Pas kësaj periudhe,trajneri më pyeti nëse doja të ndeshesha në organizimin e radhës, duke pasur 2 ndeshje të shtunë në gjysmë finale dhe të dielën ndeshjen finale, që nëse fitoja bëhesha kampion i qytetit në boksin amator. Falë Zotit i fitova të dyja dhe u shpalla kampion i qytetit , njërin në raund të parë me K.O dhe tjetri u dorëzua në rundin e dytë. Ishte ndeshje spektakël duke bërë kështu gjithë publikun për vete,nga e cila më quajtën Mike Tysoni i bardhë. Nga ajo ditë mora nofkën Mike Tysoni i bardhë, ky titull vërtet kishte peshë për mua. Vazhdova dhe zhvillova shumë ndeshje në boksin amator, u ndesha dhe për titullin kampion në Gjermani ku zura vendin e dytë. Gjithsej zhvillova 48 ndeshje në boksin amator ,nga të cilat vetëm 3 ndeshje të humbura. Kaloi një kohë mes ndeshjesh dhe stërvitjesh dhe në vitin 2018 mora një ofertë për tu trajnuar nga një menaxher boksi në Gjermani. Pa hezituar pranova ofertën pasi ishte pikërisht kjo që doja prej kohësh. Pas një stërvitje 1 vjeçare,duke u stërvitur si profesionist ,në vitin 2019 me datën 4 Maj zhvillova ndeshjen e parë në boksin profesionist kundër një boksieri i cili kishte zhvilluar 150 ndeshje në Rusi si amator dhe 11 ndeshje në boksin profesionist, pra nuk e kisha të lehtë në këtë ndeshje. Rekordi i tij ishte 11-1 dhe i imi 0-0 domethënë jo ishte ndeshja ime e parë në boksin profesionist,dhe fitova me K.O në raundin e dytë, boksieri u rrëzua 4 herë në tapet. Në 30 Nëntor te vitit 2019 ,u ndesha përsëri kundër një boksieri turk, i cili kishte 6 ndeshje në boksin profesionist dhe të gjitha fitore dhe pikërisht kjo datë për mua nuk do harrohet lehtë pasi ishte nata e fitores në favorin tim. Fitova me K.O, ndeshja ishte shumë e shkurtër, sapo vazhdoi rundi i parë,grushti i parë i imi e rrëzoi kundërshtarin në tapet, besoj që ajo ishte K.O më e shkurtër ndonjëherë në historinë e boksit e cila zgjati vetëm 6 sekonda. Në 22 shkurt të këtij viti do të jetë ndeshja ime e tretë në Gjermani kundër një boksieri profesionist Gjerman i cili ka dy tituj në Kickbox. Në boks rekordi i tij është 22-6, por kjo ndeshje nuk më tremb, madje po pres me padurim për t?u ndeshur. Falë popullaritetit që kam krijuar këtu në Gjermani,nuk dua të lë pa përmendur mbështetjen që kam pasur nga populli im. Kur kam ndeshje shoh shumë shqiptarë në anën time edhe kjo më shtyn akoma më shumë për fitore. Sot e ndjej veten krenar për fitoret që kam arritur mes atyre vështirësive dhe këto fitore ia dedikoj familjes time. Dikur pa busull dhe me një dëshirë të madhe, dhe sot falë Zotit me jam me një menaxher shumë të mirë, me sponsorë si dhe me gjithë Shqipërinë me vete. Kam 6 vjet që nuk e kam parë Shqipërinë time dhe mezi pres të vij. Shpresoj një ditë të ndeshem për vendin tim dhe ta mbuloj vetëm me tituj fitoresh. Ika si fëmijë i pashpresë dhe po kthehem si kampion në vendin tim.”, është shprehur në një intervistë të tijën më herët boksieri kampion, teksa tregon me emocion gjithë rrugëtimin e tij.
ËNDRRA MË E MADHE E AMARILDOS? TË FITOJË TITULLIN E KAMPIONIT TË BOTËS:
Amarildo, ashtu sikurse çdo sportist tjetër profesionist, sigurisht që ka edhe ambiciet e tij mbi karrierën dhe atë se çfarë ai kërkon të arrijë? I pyetur disa kohë më parë se cili është synimi i tij kryesor, Amarildo është shprehur se: synimi i tij është që të fitojë titullin e kampionit të botës dhe të flasë gjuhën e tij, shqip, në mes të ringut ku do të kurorëzohet si i tillë.
Dhe qëllimi është një dhe vetëm një sipas tij: Të bëjë krenarë jo vetëm familjen e tij, por edhe të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
IDHULLI I TIJ? MAJK TAJSON!
Ashtu si të gjithë ne, edhe Amarildo ka një idhull dhe ai është i madhi Majk Tajson, për të cilin i riu shqiptar tregon se e ka frymëzim, sa herë që ndjek videot e tij, lëvizje të cilat i praktikon gjithmonë gjatë stërvitjeve apo edhe në përballje direkte me kundërshtarët e tij, duke i dhënë fitoret për të cilat shifrat flasin vetë: 7-0 dhe të gjitha me K.O.
PO ÇFARË E BËN AMARILDON TË VEÇANTË NGA TË TJERËT?
Një sportist si ai vlen të respektohet për faktin se kudo ku shkon, kudo ku ndeshet, kudo ku flet dhe prezantohet, ai thotë: Jam shqiptar dhe vij nga Shqipëria. E ku ka më provë të madhe se sa Shqiponja dy-krenare, të cilën ai e mban me vete kudo ku shkon, pasi e ka të gdhendur në gjoksin e tij, brenda së cilës dergjet portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
“Nga boksierët e tjerë mendoj se më bën të jem ndryshe vetëbesimi dhe lidhja e madhe që kam me shqiptarët. Unë jetoj në Gjermani, rri me shqiptarë dhe në ring prezantohem si shqiptar, dhe për këtë gjë urrehem nga kombësitë e tjera. Por unë do të vazhdoj të mbaj mbi shpatulla flamurin e kombit tonë dhe asnjë shumë monetare nuk do të më ndryshonte mendjen që të përfaqësoja një komb tjetër, një shtet tjetër. Dua që emri im të shënohet në listën e kampionëve, dua të mbahem mend si një shembull dhe frymëzim për të gjithë rininë shqiptare që merret apo do të merret me boksin.”, është shprehur në një intervistë pak muaj më parë boksieri shqiptar.
Në gjithë këtë rrugëtim tijin, që sapo ka nisur, nuk ka mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë shqiptarit tonë vetëm suksese në karrierën e tij dhe pse jo, të kurorëzohet sa më shpejt me titullin e kampionit, ëndërr për të cilën ai po punon ditë e natë, edhe pse në vend të huaj.
SUKSESE KAMPION AMARILDO! U bëfsh i madh sa Skënderbeu dhe emri yt u përmendtë ndër shekuj si ai…