Avokati Andrea Zotaj, pjesë e Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër, i ka shpëtuar mrekullisht një atentati të kryer në orët e mbrëmjes se djeshme, 28 mars. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e vjetër te fshatit Qesarat në Memaliaj, teksa avokat Zotaj i shoqëruar nga nipi i tij, ishin duke shkuar në zonë me autoveturën e tyre.
Fatos Lamaj, 36 vjeç, nga fshati Ane Vjosë në Memaliaj, u kishte zënë pritë. Sipas dëshmisë të avokatit Zotaj, Lamaj i kishte zënë pritë për ta ekzekutuar, por fati ka qenë me avokatin, i cili përmes një manovre të automjetit që drejtonte arriti t’i shmangej goditjeve të plumbave të shkrehura nga ana e agresorit.
Avokati ka treguar si ka arritur që t’i shpëtojë plumbave. Policia deri më tani nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen, ndërsa këto janë pretendimet e avokatit.
‘Kur e pashë Fatos Lamajn me armë ndeza dritat e gjata për ta verbuar. Më pas u largova në kthesë dhe bëra denoncimin në polici”, tha avokati.
Avokati Zotaj është shprehur se ngjarja ka qenë për shkak të detyrës. Autori i atentatit ishte ndaluar nga policia 2 netë para se të ndodhte ngjarja, pas një konflikti me të afërmin e tij për cështje pronash. Avokati Zotaj ka qenë pala mbrojtëse e të afërmit të autorit. Pasi ka qëndruar 1 natë në paraburgim, Lamaj rrëmbeu kallashnikovin dhe zuri në pritë avokatin.