Grupimi i hakerëve Homeland Justice kanë publikuar të dhënat dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS të kreut të Shërbimit Informativ, Helidon Bendo.
Lajmi u bë i ditur nga postimi i hakerëve në kanalin e tyre “Telegram”.
Dy ditë më parë Homeland Justice publikoi të dhënat e radhës të titulluar “numrat e telefonit të shqiptarëve”.
Tashmë në rrjet mund të gjesh mijëra numra telefoni të shtetasve shqiptarë, emër, mbiemër, si dhe numrat e kartave të identitetit.
Hakerat thonë se shkak i sulmit është mbështetja për muxhahedinët që po strehohen në kampin e MEK në Manëz.
Më herët hakerat publikuan lista të tjera, të cilat kishin në shënjestër punonjës të Policisë së Shtetit.
Që prej vitit 2021 Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platforma e shërbimeve online e-Albania.
Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.