Nga Edmond Hasani/ Gjatë pushtimit italian në vitin 1940 në kuadër të propagandës fashiste lidhur me kulturën italiane në Shqipëri filloi xhirimi i filmit ‘Kalorësi i Krujës’ me regjisor të famshmin Karlo Kampogalliani dhe me interpretim të disa nga aktorët më të njohur italiane si Doris Durant, Ledia Gloria, Antonio Centa, Guido Cellano etj!
Aq e madhe ishte buja e projektit të filmit sa aktori më i madh italian i asaj kohe Amedeo Nazari u vetëofrua për rolin kryesor por u tërhoq më vonë për arsye të panjohura kurrë! Filmi e merrte subjektin në Shqipëri gjatë zbarkimit të ushtrisë italiane në Durrës dhe në qendër të filmit ishte një gazetar italian që i shpëton jetën një kalorësi shqiptar të plagosur nga xhandarët shqiptarë në rrëmujën e pushtimit fashist të 7 prillit 1939.
Doris Durant
Duke qenë film propagande ky film u abandonua nga rinia shqiptare dhe nuk pati suksesin e pritur në kinematë shqiptare ndryshe nga buja që pati në Itali. Sot filmi ekziston në gjendje të mirë nga shoqëria kinematografike Luce por në Shqipëri nuk u shfaq kurrë pas vitit 1943.