Ylber Ramadani ishte vendimtar me golin e tij të shënuar në minutën e 90 që i dha fitoren Lecces pas 10 takimesh në Serie A. Verdhekuqtë nuk festojnë në kampionat që nga 22 shtatori kundër Xhenoas.
Mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit në një prononcim për “DAZN” tha se ishte i lumtur për tri pikët e rëndësishme të marra.
“Këtë gol ia dedikoj mbi të gjitha bashkëshortes sime, duke marrë parasysh faktin që po presim një fëmijë, e pastaj atyre që më kanë ndihmuar që nga dita e parë. Janë tri pikë të rëndësishme. Lojtarët dhe klubi që nga fillimi më kanë qëndruar afër përveç tifozëve tanë që janë spektakolarë. Tani jam i përqendruar në këtë sezon, më pas do të jetë europiani ndaj Italisë. Kam dëshirë që t’i bëj gjërat mirë”, u shpreh Ylber Ramadani.
Në stol në radhët e Lecces qëndroi shqiptari, Medon Berisha teksa te miqtë mungonte sulmuesi Marvin Çuni. Me këtë fitore skuadra puljeze la pas në renditje Frosinonen e shkon në kuotën e 20 pikëve. Për Leccen kjo ishte fitorja e katërt në kampionat.