Gianni Infantino do të rikonfirmohet si president i FIFA-s, pasi në garë për këtë post është vetëm ai. 52-vjeçari zvicerano-italian nuk do të ketë rival në zgjedhjet e 16 marsit që do mbahen në Kigali të Rwanda, duke fituar kështu besimin e botës së futbollit për të paktën edhe 4 vite të tjera. Ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2019, Infantino nuk do ketë kundërshtarë për postin kreun e organit drejtues të futbollit me mandatin e tij që do të zgjas deri në vitin 2027.
Kjo do të thotë se ai do të jetë në krye të FIFA-s edhe në Kupën e Botës 2026, që do zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Në favor të Infantinos ishte fakti që asnjë prej kandidatëve nuk plotësonte kushtin: angazhimin në një nga pesë federatat kontinentale për të paktën në dy nga pesë vitet e fundit.
Por ky mund të mos jetë mandati i fundit për Infantinon. Rregullat e FIFA-s e lejojnë atë të kandidojë përsëri për të qëndruar në pushtet për një tjetër cikël të Kupës së Botës, pra të jetë në krye të FIFA-s deri në vitin 2031. E gjithë kjo pasi statutet e FIFA-s lejojnë që institucioni të drejtohet nga një person deri në 12 vite, teksa këtu nuk llogariten tre vitet e presidencës së fituar në mes të mandatit të Joseph Blatter./ Klan News