Ernest Muçi është një futbollist i Besiktas. Legia arriti marrëveshjen me klubin e njohur nga Stambolli ku shuma e transferimit përflitet se është mes 8 dhe 10 milion eurove, duke e bërë një nga lëvizjet më të kushtueshme të një futbollisti shqiptar.
Nga kjo përfiton edhe Tirana që ruajti 10% të kartonit të sulmuesit në rast se do të largohej nga Polonia. Kohëzgjatja e kontratës është deri në 30 Qershor të 2027. 22-vjeçari bën kështu një tjetër hap në karrierë.
Te Legia ku kaloi në shkurt të 2021 zhvilloi 114 ndeshje, duke realizuar 21 gola dhe dhënë 10 asiste në të gjithë aktivitetet. Besiktas ka në përbërje dhe një tjetër shqiptar, Milot Rashicën, ndërsa nga futbollistët e Kombëtares aktivizohen në Superligën e Turqisë edhe Cikalleshi, Manaj apo Çekiçi.