Biznesmeni Gjergj Luca ka ironizuar Ilir Metën pas reagimit të tij se peshku blihet më lirë në Kosovë se në vendin tonë, ku edhe prodhohet.
Luca i referohet Metës si mik i vjetër ndërsa i thotë se ishte mërzitur për cmimet, ndaj edhe i kërkon metodë se si “t’ia fusë njërit” që të jetë i pari.
“Çkemi Like, si i ke punët, mirë? Shyqyr që na lirove nga sikleti që të thirrnim president. Tani njësoj si te pazari i ri, eh ku je o zotëri, ku je. Se më tha një miku im, ishe mërzitur për këta të peshkimit që janë çuar çmimet dhe janë probleme të mëdha. Ti e di që vëllai yt është më i madhi aty dhe me thënë të drejtën, thuaja vëllait tënd, nga ato metodat e tua të vjetra se më ka ngel njëri pa ia fut. T’ia fus dhe atij e të rri vetë. A të lutem vëllai më jep dhe një metodë. Hajde pastaj në Fish City, të gjitha i kemi, të dua fort vëlla, mirë ardhsh zemra ime”, shkroi Luca.
Një ditë më parë, në takimin me strukturat në Durrës, Meta u ndal tek turizmi dhe ngriti pyetjen pse një pjatë peshk në Durrës kushton më shtrenjtë se sa në Kosovë.
“Pse kushton më shumë një pjatë peshk në Durrës se sa në Kosovë. Sepse kudo, edhe në fushën e peshkimit janë interesat e mbyllura të individëve të caktuar të lidhur me qeverinë dhe personalisht me Edi Ramën të cilët i ndryshojnë ligjet sipas dëshirës së tyre. Bëjnë ndryshime në ligj për të hequr licensat e të tjerëve” – tha Ilir Meta.