Boris Johnson po mban mëngjesin e kësaj të marte fjalimin e tij të lamtumirës, ku do t’i dorëzojë detyrën Liz Truss, e cila u zgjodh si kryeministrja më e re e Britanisë dhe njëkohësisht liderja e konservatorëve.
Përpara godinës së qeverisë, Downing Street Nr 10, ai foli përpara të pranishmëve dhe tha se pas disa orësh do të jetë në Balmoral për të parë Mbretëreshën dhe më pas stafeta do t’i kalojë kryeministres së re, raporton BBC. Kryeministri vazhdoi duke thënë se gara për udhëheqjen e Partisë Konservatore ishte e papritur dhe rregullat u ndryshuan në gjysmë të rrugës. “Mos e shqetësoni këtë tani për tani,” thotë ai.
Ndër të tjera, Boris Johnson tha se është qeveria e tij realizoi Brexit-in. Ai përmendi gjithashtu edhe faktin që në Britani u realizua përhapja më e shpejtë e vaksinës në Evropë. Më tej ai shton se furnizimi me armë në Ukrainë, të cilin ai e mbrojti, mund të kishte ndryshuar shumë mirë rrjedhën e luftës në Ukrainë.
Johnson gjithashtu shënjestroi presidentin rus Vladimir Putin duke thënë se ai nuk mund të shantazhojë apo ngacmojë popullin britanik për krizën e energjisë. “Ai mashtron veten kur mendon se mundet.”
Kujtojmë se Johnson dha dorëheqjen në korrik dhe qëndroi në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit. Ishin anëtarët e tij të qeverisë, të cilët i kthyen shpinën dhe e detyruan të japë dorëheqjen.
Kriza më e fundit qeveritare u shkaktua pas aferës së kolegut të partisë konservatore, Chris Pincher, që u akuzua për ngacmime seksuale. Më parë ishte bërë e ditur, se Johnson kishte pasur dijeni për fajësimet kundër Pincher, para se ta vendoste në një post të rëndësishëm të grupit parlamentar. Një tjetër që ndikoi ishte gjithashtu edhe festa në Downing Street gjatë pandemisë.