Ndonëse është 81 vjeç, Joe Biden, duket se nuk do të heqë dorë nga të qenit president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku po nderonte personalitete të ndryshme të spektaklit, modës dhe kulturës, duke i dhënë “medaljen kombëtare të artit” dhe “medaljen kombëtare të studimeve klasike”, Biden shprehu dëshirën e tij për të rikandidaur si president i SHBA.
Midis të nderuarve ishte dhe shkrimtari afrikano-amerikan Colson Whitehead ku Biden u kujtoi të pranishmëve se shkrimtari ka marrë dy herë një çmim Pulitzer, për romanet e tij Underground Railroad dhe The Nickel Boys. E këtu bëri dhe deklaratën e tij, për ambiciet e së ardhmes.
“Dhe unë do të përpiqem të fitoj dy herë,” deklaroi demokrati 81-vjeçar, duke shkaktuar të qeshura dhe brohoritje.
Deri tani, Biden ka këmbëngulur të thotë se ai ka “synimin” për të kandiduar për zgjedhjet në vitin 2024, por nuk ka nisur zyrtarisht ende një fushatë.