Janë identifikuar autorët e atentatit ndaj Agron Pukës, 54-vjeçarit i cili mbeti i plagosur pasi iu bë pritë sapo la fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës. Në kërkim janë shpallur Vincens Tuku 32 vjeç, Amarildo Kola 31 vjeç të dy banues në fshatin Tale dhe Kevin Ndoka 18-vjeç, banues në Shëngjin. Po ashtu është arrestuar edhe Agron Puka, pasi ka qëlluar në drejtim të tyre me armë zjarri pistoletë të cilën e mbante pa leje.
Nga hetimet ka rezultuar se të rinjtë, për shkak të një shkak të një konflikti të mëparshëm, për motive të dobëta, kanë tentuar të ndalojnë makinën me të cilën lëvizte Agron Puka dhe më pas kanë qëlluar drejt këtij automjeti, me armë zjarri. 54-vjeçari po ashtu ka qëlluar ndaj 3 të rinjve me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Ai aktualisht po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës, ku është jashtë rrezikut për jetën.
Pistoleta e Agron Pukës, u gjet dhe u sekuestruar nga policia bashkë me municionin luftarak.
Tre autorët janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Edhe Agron Puka është arrestuar për të njëjtat veprat penale.
Atentati ndaj Agron Pukës, ndodhi mëngjesin e datës 6 mars, para shkollës 9-vjeçare ‘Marash Gjoni’. Puka sapo kishte lenë dy fëmijët në shkollë, dhe po largohej për në punë, në një fermë në Balldre. Ata i zunë pritë dhe hapën zjarr. Shënjestra mori një plumb në shpatull, ndërsa nga pamjet e siguruar nga Report tv, në makinën e Pukës, duken 5 vrima plumbash. Pista kryesore e hetimeve lidhet me një konflikt me sende të forta të pak ditëve më parë, mes Agron Pukës dhe disa personave të tjerë në qytetin e Lezhës.