Janë asgjësuar 4945 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në zona të thella malore dhe të pyllëzuara.
Në kontrollin masiv të territorit janë përfshirë 1560 forca policore të Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe, të Policisë Kufitare dhe të reparteve të FNSH Tiranë, Fier dhe Shkodër. Policia ka përdorur edhe 32 dronë, për të kontrolluar territorin, nga ajri.
Gjatë kontrolleve në terrene mjaft të vështira, në zona malore, në të gjithë vendin janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike në parcela të vogla, që varionin me 25 deri në 90 bimë. Për shkak të terrenit të vështirë është dashur ndërhyrja e punonjësve të FNSH-së, të cilët kanë zbritur me litarë, për të asgjësuar bimët narkotike.
Konkretisht në qarkun Shkodër janë asgjësuar 3290 bimë narkotike, në qarkun Lezhë 1010 bimë, në qarkun Kukës 316 bimë, në Malësinë e Krujës 225 bimë, në qarkun Gjirokastër 73 bimë dhe në qarkun Dibër 31 bimë, të dyshuara narkotike kanabis.
Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një sasie të vogël bimësh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.