Armando Broja ka hedhur pas dëmtimin e rëndë dhe po merr minuta te Chelsea. Rikthimi në fushë po bëhet me ritmin e duhur për sulmuesin shqiptar, i cili synon të jetë protagonist në kryeqytetin londinez. Minutat në dispozicion kanë qenë të vogla për 22-vjeçarin, gjithsesi, shfaqet i kënaqur për mundësitë.
“Shumë lojtarë do të zhgënjeheshin nga mungesa e minuta, por për mua e di që jam rikthyer nga një dëmtim i madh. Më duhet të tregohem dhe të provoj veten përsëri te klubi, skuadra, stafi dhe tifozët. Jam i bekuar që jam në pozicionin ku jam’’, u shpreh futbollisti i Chelsea.
Këtë sezon, 22-vjeçari ka bërë gjashtë paraqitje për Chelsean, duke luajtur vetëm 145 minuta në total. Ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asistim në këtë kohë të kufizuar, duke dëshmuar se ai është akoma më shumë se i aftë për të udhëhequr sulmin e Chelsea. Rivaliteti për vendin e titullarit në kryeqytetin anglez është i fortë dhe për Brojën mund të rezervohet edhe një largim.
Por, e ardhmja e tij mund të jetë sërish në Londër. Fulham ka shfaqur interes për shërbimet e tij dhe një ofensivë reale pritet të bëhet në merkaton e janarit. Pikërisht ndaj kësaj skuadre, Broja ka shënuar golin e vetëm të këtij sezoni, teksa Chelsea do e lejonte sulmuesin për tu larguar vetëm në formulën e huazimit. Broja kërkon minuta për të qenë alternativë për Sylvinhon, në Euro2024.