Departamenti Amerikan i Shtetit refuzoi komentet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ndërmjetësuesin e dialogut Miroslav Lajçak dhe i vlerësoi përpjekjet e tij.
Në një reagim për mediat pas komenteve të kryeministrit Kurti se ndërmjetësuesi Lajçak është kthyer në përfaqësues të Serbisë, Departamenti i Shtetit tha se falënderon dhe njeh përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së”. Deklarata shton se Uashingtoni mbetet i angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialog.
Po kështu zëdhënësi i DASH-it shpreh zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.
“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm.