Hetimet për zbardhjen e dinamikës së tragjedisë së djeshme në Këlcyre ku humbën jetën 7 emigrantë të huaj dhe shoferi shqiptar, kanë hyrë në një fazë të re. Për llogari të Policisë dhe Prokurorisë Gjirokastër është arrestuar sot Agustin Gjeta 26 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe ndaluar Ramazan Dekovi 23 vjeç po nga Shkodra. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale 298/3 te Kodit Penal, për ‘ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’.
Ndërkaq pas 10 orësh prej aktivizimit të grupit të kriminologëve dhe specialistëve mjeko-ligjore të mbërritur nga kryeqyteti, është zbuluar identiteti i 3 nga 8 viktimave të aksidentit te djeshëm, ndërkohë që për të tjerët ka qenë e pamundur të zbulohet identiteti i tyre.
Burime jo zyrtare por tërësisht te sigurta nga grupi hetimor, bëhet e ditur se mosha e viktimave që u gjetën ne bordin e shkatërruar te ‘Mercedez-Benzit’ është poshtë 30 vjeç dhe të gjithë klandestinët kanë qenë pakistanezë. Për viktimat e paidentifikuar, po bashkëpunohet me Interpolin dhe do të pritet përgjigjja e ADN-së.