Edhe kjo javë do të mbetet nën ndikimin e valëve të të nxehtit afrikan që ka përfshirë Shqipërinë që prej disa ditësh. Meterologia e MeteoAlb, Lajda Porja bën me dije se Shqipëria do të përjetojë temperatura të larta deri ditën e enjte.
Parashikohet që dy ditët më të nxehta do të jenë sot edhe nesër (e hënë dhe e martë), ku temperaturat do të arrijnë në 41 gradë në shumë zona kryesisht në qarkun e Elbasanit, Beratit. Edhe Gjirokastra do të shënojë temperature të larta.
Madje edhe në zonat malore, Kopliku, Kukësi, Hasi do të regjistrojnë temperature nga 37 deri 39 gradë. Pak më freskët parashikohet që të jetë juglindja ku në Korçë priten vlerat 34 gradë. Parashikohet që ky mot të na shoqërojnë deri të premten, më pas pritet ndryshim i situatës pasi do ketë depërtim të masave ajrore të një mase të ftohtë, e cila vjen nga Evropa Lindore.
Do kalojë nga qendra e kontinentit dhe më pas do zbresë në Shqipëri dhe në rajon duke sjellë rënie të menjëhershme të temperaturave. Parashikohet që temperaturat të premten dhe në fundjavë të zbresin në të paktën 10 gradë, nga 41 gradë në 31 maksimalja në rang territori.
Për sa i përket reshjeve, pritet një periudhë e gjatë deri ditën e premte ku i gjithë territori do të përfshihet nga rrebeshe shiu më të theksuara në veri dhe veri-perëndim të territorit ku nuk do të mungojnë dhe shkarkesat elektrike. Fundjava do jetë relativisht e freskët krahasuar me fundjavën e shkuar.
Rajoni
Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut po përjetojnë valët e të nxehtit afrikan ku termometri regjistron 36 apo 37 gradë. Kjo situatë e motit do të na shoqërojë deri të mërkurën dhe të enjten ku do të nisë rënia e temperaturave. Në Kosovë do të jetë një mot relativisht i freskët me temperature 27 apo 28 gradë.
Po ashtu dhe Maqedonia e Veriut do të ketë temperature jo më shumë se 28 gradë. Kosova çdo pasdite do të rrezikohet nga reshje shiu, ku më të dukshme do të jenë nga mesi i javës, e premtja dhe fundjava.
Maqedonia e Veriut do të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu duke filluar që nga dita e martë dhe deri në fundin e javës. Paraditet me diell dhe pasditet me reshje shiu.