Trajneri i Interit, Simone Inzaghi mendon se Kristjan Asllani dhe Marko Arnautovic nuk janë të vetmit futbollistë që duhen fajësuar për paraqitjen jo të mirë të zikaltërve në transfertën kundër Real Sociedad në sfidën e Ligës së Kampioneve.
Dy lojtarët e nisën për herë të parë si titullarë në këtë sezon, por Interi ishte larg performancës së zakonshme në fushë. Në konferencë për shtyp pas takimit, Inzagi u pyet nëse priste më shumë nga mesfushori kuqezi dhe sulmuesi austriak.
“Nuk mund të ndalesh te 2-3 lojtarë, të gjithë duhej të bënin diçka më shumë duke përfshirë edhe mua. Duhet vlerësuar kundërshtari, Real Sociedad tregoi se është një rival mjaft i fortë. Kur Sociedad ra, ne e shtuam presionin. Kisha ndjesinë se mund të shënonim sërish nëse ndeshja vazhdonte. Kishim kundër një kundërshtar të organizuar, kanë 3-4 lojtarë mjaft të mirë”, tha Inzaghi.
Rrugëtimi i Interit në Ligën e Kampioneve nisi me një barazim 1-1 në shtëpinë e Sociedadit.
Spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 4-të falë Mendez. Tre minuta nga fundi i kohës së rregullt, Lautaro realizoi golin e barazimit, duke shkëputur ekipin nga humbja.