Një 22-vjeçar grek është qëlluar disa herë me thikë nga një tifoz kroat duke humbur jetën më pas. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, jashtë stadiumit të AEK-ut të Athinës ‘OPAP ARENA’, në lagjen ‘Nea Filadhelfia’ të kryeqytetit, mes tifozëve të AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit.
Mediat vendase raportojnë edhe për 8 persona të plagosur, pesë grekë dhe tre kroatë. Sipas ERT, mes të plagosurve është edhe një i mitur me plagë guri në kokë.
Autoritetet kanë arrestuar 98 persona, midis të cilëve 82 kroatë, një austriak, një boshnjak, një shqiptar, një gjerman dhe dy grekë.
Sipas informacioneve nga burime policore, një grup prej 150-200 tifozësh të organizuar të Dinamos së Zagrebit kanë mbërritur me makinat e tyre në Greqi, pavarësisht urdhrit të ndalimit të lëvizjes së tifozëve nga Kroacia, për ndeshjen e djeshme kundër AEK-ut. Ata mendohet se kanë vepruar në bazë të një plani të organizuar. Tifozët kanë shkaktuar dëme në shumë dyqane dhe makina dhe u kanë vënë zjarrin kazanëve të plehrave.
Trazirat e fundit në Athinë kanë anuluar edhe takimin e sotëm të ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Ikonomou dhe ministrit të brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla në pikën kufitare të Kakavijës.