Merkatoja e verës në Serie A vazhdon që të dhurojë surpriza! Pas çështjes Lukaku që e bëri më të nxehtë këtë verë sportive, klubi zikaltër iu kundërpërgjigj atij bardhezi duke arritur akordin për Huan Kuadradon.
Marotta dhe Ausilio do të sjellin në “San Siro” kolumbianin, i cili ka qenë pjese e Juventusit për tetë sezone. Mbrojtësi kolumbian kalon në Inter si futbollist i lirë dhe do të firmosë një kontratë një vjeçare deri më 30 qershor 2024, për 2.5 milionë euro.
Brenda javës priten që të kryhen vizitat mjekësore të mbrojtësit të djathtë, raporton sport mediaset. Interi vazhdon me merkaton me pak shpenzime, ndërsa më parë ka sjellë në ekip emra si Onana, De Vraj, Calhanoglu, Dzeko e Mkhitaryan, e Turam më herët këtë verë.
Mbrojtësi i djathtë 35-vjeçar preferoi që të qëndronte në Serie A, ndërsa i tha jo ofertave tunduese nga Arabia Saudite. Akordi me Kuadradon ka sjellë reagime edhe te tifozët zikaltër, me një pjesë të tyre kundër. Kolumbiani ka qenë një ndër lojtarët më pak të dashur për fansat interistë. Por ishte trajneri Inzagi që u kërkoi drejtuesve shërbimet e tij për sezonin e ri.