Këngëtarja Alma Bektashi ka rrëfyer peripecitë që po kalon me divorcin e saj nga bashkëshorti. Alma ka rrëfyer për mediat se ka dy vite që nuk po arrin të përmbyllë procesin e divorcit.
“Nuk e kuptoj akoma. Imagjino për mua që kam mbi 30 vite karrierë artistike skenike dhe mbi 20 vite karrierë pedagogjike në Universitetin e Prishtinës më ndodh kjo gjë. Imagjino ato femra që janë në shtëpi, që ndoshta nuk e kanë as anën ekonomike, nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe ballafaqohen me këtë gjë që po përballem unë këto dy vite. Unë nuk e kuptoj, nuk e di çfarë procedure duhet ndjekur, kur ti kërkon që të divorcohesh sepse nuk do që t’i kalosh më ato probleme psikologjike, emocionale dhe vështirësitë financiare që mua më duhet brenda këtyre dy viteve, nuk e di as sa kam shpenzuar për këtë gjyq”, tha këngëtarja.
Sipas saj, gjykata e Tiranës është shprehur se duhet të gjendet fillimisht një psikolog për djalin e saj. Seanca e radhës për procesin e divorcit të këngëtares do të mbahet më 4 dhjetor.
“Unë kam dëgjuar dhe kam parë që një divorc ndodh në pesë javë deri në gjashtë muaj. Nuk ma merrte mendja kurrë që mund të shkojë dy vite. Në 4 dhjetor bëjmë një vit që ne nuk po gjejmë dot psikologe për djalin. Më e bukura është se kur të bëhet seanca e radhës, djali im do të jetë 17 vjeç dhe është 1 metër e 80 centimetër. Çfarë mund t’i thotë psikologia, ‘shpirt i vogël, ti do me mamin apo me babin’, se kjo është jashtë logjike”, shtoi Bektashi.