Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos mashtrohen nga projekti i Portit të Durrësit. Sipas tij, ai është një projekt korruptiv, skemë e pastër piramidale që synon të grabisë paratë e shqiptarëve.
Ish-Presidenti Meta thekson se për projektin e Portit të Durrësit ka një mungesë të plotë transparence duke nënvizuar se nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.
DEKLARATA E ILIR METES
MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT! MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE!
I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja. Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave. Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë! U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.