Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, rreth 200 gra shtatzëna kanë shkuar për të lindur në maternitetet e Lvivit si pasojë e sulmeve ruse. Më shumë se 100 kanë lindur në qendrën rajonale të shtetit Lviv ku dhomat e lindjeve mund të dallohen që jashtë ndërtesës, të mbrojtura nga thasë me rërë për t’u shpëtuar plumbave.
Në një dhomë plot diell dhe të qetë në qendrën rajonale të lindjeve në Lviv, Natalya Suhotsha kujdeset për foshjet të saj binjake të sapolindura, Zlata dhe Sophia. Ajo u largua nga një qytet në periferi të Kievit, në ditët e para të luftës, kur rusët filluan të bombardojnë një aeroport aty pranë.
Bashkëshorti i dha pesë minuta kohë për të mbledhur sendet kryesore dhe për t’u larguar. Ajo mori teshat e foshnjeve dhe të dy shkuan në Lviv në Ukrainën Perëndimore, ku ajo lindi dhe ku familja e saj ka një shtëpi.
Tani, vajzat e saj të vogla janë një shpërqendrim i mirëpritur nga lufta dhe nga miqtë që ajo ka humbur. Në spital ajo ka takuar nëna të tjera të reja të zhvendosura.
“Ne flasim vetëm për foshnjet e bukura. Nuk flasim për luftën. Sa herë që flet për luftën është stresuese”, thotë Natalya.
Qindra gra shtatzëna të zhvendosura nga pushtimi rus kanë shkuar në Lviv që nga fillimi i luftës. Është e lehtë të dallosh dhomat e lindjes nga pjesa tjetër e maternitetit, madje edhe nga jashtë. Muri i jashtëm është i mbushur me thasë rëre.
Në bodrumin e errët, ku gratë shtatzëna duhet të përkulen për të kaluar, ka një tavolinë lindjeje në rast se fëmija vjen mes sirenave të sulmit ajror. Stresi është pjesë e lindjes së fëmijëve, por ky stress nuk është i zakonshëm.
Gjatë një alarmi, Kateryna Galmalova nga Mikolaivi, një qytet i pushtuar tani nga forcat ruse, lexon lajmet në celularin e saj ndërsa pret që të pushojnë sirenat.
Ajo u largua nga Mikolaivi vetëm me dokumentet dhe rrobat që kishte veshur. Por u habit nga mirësia që gjeti në Lviv, ku nuk njeh njeri, dhe që shpejt u bë një strehë për qindra mijëra gra të zhvendosura nga pjesët më të kërcënuara të Ukrainës.
“Nuk dua që fëmijët të lindin në luftë. Nuk dua të lind në luftë, në bodrum apo bunker. Nuk dua që asnjë fëmijë të lindë në një vend të tillë”, thotë Kateryna.
Lilia Myronovich, e cila drejton departamentin e lindjes në një spital tjetër në Lviv, thotë se ka parë më shumë lindje të parakohshme gjatë luftës.
“Jo shumë foshnje, por disa foshnje lindin vërtet para kohe, sepse gratë janë të stresuara. Sidomos nënat që vijnë nga rrethe të tjera. Kjo është arsyeja që ndonjëherë kemi lindje të komplikuara dhe me operacion”.
Myronovich nuk mund të mos mendojë për ato që u detyruan të lindin nën tokë, nën breshërinë e armëve, si dhe ato nëna që u vranë në disa sulme në maternitete në lindje të Ukrainës, si në Mariupol.
“E gjithë bota është e bashkuar me ne, po na ndihmon me armë, por fëmijët tanë po vdesin dhe gratë tona po vdesin”, thotë ajo.