Shefki Kurti, 72-vjeç me origjinë shqiptare u gjet i copëtuar më 28 korrik në Itali. Ekspertët e Ris po kërkojnë gjurmë gjaku kudo, madje edhe në apartamentin që i moshuari kishte blerë me mundim.
Hetuesit po gjurmojnë jetën e 72-vjeçarit shqiptar dhe të familjes së tij për të gjetur ndonjë pistë që mund të çojë në zbulimin e vrasësit.
Ditën e djeshme mediet italiane raportuan se dyshimet bien edhe mbi familjen, pasi ata janë të fundit që e kanë parë gjallë më 24 korrik kur Kurti u largua nga shtëpia pas një sherri me gruan.
Hetuesit janë të sigurt se vrasësi i pamëshirshëm i të moshuarit është dikush që ka pasur lidhje, të çdo lloji, me familjen e viktimës.
Ndërkohë pyetja që hetuesit po shtrojnë është: Kush mund ta urrente aq shumë Shefkiun sa ta copëtonte në mënyrë makabre?
Familja Kurti
Familja Kurti ishte e njohur në provincën ku jetonte.
Veçanërisht Shefkiu njihej si një person i qetë dhe i dashur. Familja Kurti kishte lundruar nga porti i Durrësit, qyteti i tyre i origjinës gjatë një prej valëve të para të eksodit të madh nga Shqipëria, në vitin 1991. Familja ka dy fëmijë, Alketa e cila u shpërngul në Zvicër dhe Arbeni, që punon Dj dhe jeton shumë afër prindërve, në Masi.
Përveç profesionit të DJ, ai është pronar i diskotekës “Babylon” që ndodhet ngjitur me apartamentin e prindërve.
Apartamenti i prindërve ndodhet në katin e parë, mbi një magazinë, ku orët e fundit fqinjët kanë parë ekspertë të mjekësisë ligjore dhe hetues duke hyrë dhe duke dalë nga shtëpia në kërkim të gjurmëve.
Kamerat, të vendosura nga familja për të monitoruar hyrjen e shtëpisë, nuk ndihmuan. E megjithatë celulari i burrit, për momentin, nuk ka dhënë informacione të dobishme: siç shpjegoi familja, 71-vjeçari e la në shtëpi para se të dilte më 24 korrik, pas një debati me bashkëshorten, raporton abcnews.al.
“Ishte thjeshtë një diskutim, asgjë tjetër”, tha djali i tij Beni mëngjesin e djeshëm.
Alketa e cila mbërriti menjëherë nga Zvicra kur mori vesh për zhdukjen e babait, thotë se prej ditësh përpiqen të mos qajnë.
“Këtu janë fëmijët tanë, nuk duam të na shohin kështu”, thotë ajo.
“Gjithçka është vajtje-ardhje miqsh dhe sa herë që dikush hyn fillon qan”, tha Beni.
Ai shtoi: Nuk ka njeri që donte ta lëndonte babain tonë. Nuk e kam idenë kush është përgjegjësi. Karabinierët po punojnë për këtë. Kam besim se do ta gjejnë fajtorin.
Misteri
Motra e tij Alketa shpjegon “misterin” e kallëzimit të zhdukjes të bërë vetëm pas zbulimit të trupit dhe shumë kohë pasi burri kishte dalë nga shtëpia, më 24 korrik, siç ishte deklaruar në komisariat.
“Tashmë karabinierët i kishim njoftuar të dielën e 24 korrikut”.
Por në atë moment familja Kurti nuk kishte hipotezuar një zhdukje, por një largim vullnetar.
Ata kishin thënë se i moshuari ishte larguar nga shtëpia pas një debati me gruan pa marrë asgjë me vete, madje as celularin.
Zbulimi i pjesëve të para të trupit të 71-vjeçarit u bë më 28 korrik dhe sipas hetimeve të para mjeko-ligjore, trupi kishte të paktën disa ditë në ujë. Ndaj ka gjasa, bazuar në deklaratat e të afërmve, që i moshuari të jetë vrarë dhe bërë copë-copë menjëherë pasi është parë duke dalë nga shtëpia.