Përballja e javës së 32-të me Kukësin merr vlera të mëdha në shtëpinë e Partizanit. Në “Arenën e demave”, skuadra e Colella luan një sfidë tepër të rëndësishme. Trajneri Giovani Colella do të kërkojë 3 pikët në shtëpi për të shpresuar në ngushtimin e diferencës me kreun dhe së dyti janë 4 lojtarë që rrezikojnë pjesëmarrjen në Derbin me Tiranën.
Ndaj verilindorëve duhet të tregojnë mjaft kujdes që të mos ndëshkohen me kartona, pasi në të kundërt do të humbasin ndeshjen që vlen sezonin. Tedi Cara, Atanaskovski, Rrapaj dhe Murataj janë në kuotën e 3 kartonëve të verdhë dhe nëse ndëshkohen në sfidën ndaj Kukësit, rrjedhimisht humbasin duelin me Tiranën.
Colella duhet të bëjë mirë llogaritë që të mos humbasë asnjërin prej tyre edhe pse do të duket e pamundur, pasi të 4-të lojtarët janë titullarë në formacionin e italianit. Pesë pikët diferencë me bardheblutë rrisin presionin te Partizani për ta shndërruar duelin me verilindorët në një mision vetëm për fitore. Në tre sfidat e këtij sezoni, Partizani ka një bilanc pozitiv, prej 2 fitoresh dhe një humbje, me golavarazhin që vlen në favor të të kuqve, 4 gola të shënuar dhe 3 të pësuar.