Real Madrid dhe Athletic Bilbao prenë biletat e fundit gjysmëfinale për Kupën e Mbretit. “Los Blancos” fituan derbin e kryeqytetit me Atleticon e Madridit për të mbajtur gjallë shpresat për triumf. Ndaj skuadrës së Simeones, Real nuk e kishte aspak të lehtë për të fituar, pasi iu desh vetëm koha shtesë për të vulosur kalimin më tej me shifrat e përgjithshme 3-1. Golit të Moratës iu përgjigj Rodrigo me një aksion fenomenal në çastet e fundit të kohës së rregullt, për ta dërguar sfidën drejt shtesave.
Në minutën e 99-të, Saviç la Atleticon me 10 lojtarë, superioritet që Real e shfrytëzoi në maksimum. Benzema kaloi në epërsi ekipin pas një aksioni model të skuadrës së Ancelottit. Ndërkaq, vulën ia vendosi Vinicius Junior me golin e 3-1.
“Lojtarët e stolit po na ndihmojnë shumë në këto momente. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ia dolëm për të vijuar rrugën drejt trofeut’’, u shpreh trajner i Real Madrid, Carlo Ancelotti.
“Ekipi ka të gjithë pjesën e dytë të sezonit për të arritur objektivat. Jemi jashtë Champions dhe Kupës së Mbretit. Gjithsesi, jam krenar që jam me Atletikon. Unë do të jap jo 100% por 1000% për ekipin dhe klubin”, trajner i Atletico Madrid Diego Simeone.
Në krahun tjetër, Bilbao eliminoi me shumë thjeshtësi 3-1 Valencian dhe të hënën do të jetë pjesë e shortit të raundit gjysmëfinal. Bashkë me Bilbaon e Real Madrid në këtë raund gjenden edhe Barcelona e Osasuna.